Historiku i Shkollës

Shkolla e mesme Industriale “7 Nëntori” apo Politeknikumi “7 Nëntori”,me këtë emër njihej gjatë viteve të komunizmit shkolla e mesme  profesionale prej së cilës u shkëput  në vitin 1983 dhe u  krijua  më vete Shkolla Elektrike,duke trashëguar të gjitha vlerat e traditat e kësaj shkolle.

 

Qëllimi i saj ishte përgatitja e teknikëve të mesëm në degët: Elektrike, Elektronikë dhe Ndërlidhje,degë këto  nga më të preferuarat në shkollat profesionale të  të gjitha kohërave për shkak edhe të mundësisë që krijonin këto specialitete  në punësim në vende preferenciale  si :Televizioni Shqiptare ,Posta shqiptare,Agjencia Telegrafike Shqiptare,Radiostacionet,centralet etj që kanë patur edhe një zhvilllim të madh ndër vite.Në përgjithësi kontigjenti i nxënësve që ndiqte këto degë  vinte nga shtresa e klasës punëtore (sic thuhej  në atë kohë) të teknikëve të këtyre specialiteteve ,por edhe nga fëmijë inxhinierësh  dhe më  pak vajza.Më pas  kontigjenti i nxënësve ishte i përzgjedhur dhe me një pjesëmarrje më të madhe të vajzave sidomos në degën  e  ndërlidhjes.

 

Stafi drejtues dhe pedagogjik punoi me përkushtim për strukturimin dhe zhvillimin e shkollës.

 

Nga personalitetet që kontribuan  me talentin e tyre ,ngritjen profesionale ,si mësues të këtyre profesioneve  përmenden specialistët si Cezar Sina,Xhemal Bushati, Agim Seferi,Hysen Cenkollari,Nazmi Ramaliu,Kristofor Panoti,Ilia Zguri,Mustafa Koskia,Roland Kondakci,Koco Laci,Mirvjena Pilku,Rajmonda Gjipali etj.

 

Shkolla  synonte në përgatitjen e teknikëve të mesëm të kualifikuar e të gatshëm për të hyrë në tregun e punës.

 

Pas shkëputjes nga ambjentet e Politeknikumit “7 Nëntori”, shkolla u vendos në godinën që sot ndodhet kolegji turk. Me ardhjen e  demokracisë, me këmbënguljen e trupës  mësimore dhe të nxënësve, Shkolla Elektrike mbijetoi  duke u vendosur  në godinën pranë shkollës Ekonomike.


Shkolla vazhdoi  të ruante degët:Elektrike,Elektronikë dhe Telekom.


Në 23 Mars 2006 me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, shkolla mori emërin  Shkolla Teknike Elektrike “Gjergj Canco” për nder të mësuesit të njohur të arsimit, “Mësues i Popullit”Gjergj Canco,ish drejtor i Shkollës Teknike  të Tiranës . Kjo përbën një ngjarje të shënuar për jetën e shkollës sonë,një vlerësim që i bëhet asaj për të mbajtur lart këtë emër të nderuar të arsimit  të shkollës shqipe dhe një obligim e detyrim për të çuar  më tej  arritjet e saj.


Në vitin  shkollor 2009- 2010 si i gjithë sistemi arsimor shqiptar,edhe në shkollën Teknike Elektrike “Gjergj Canco” u zbatua për herë të parë struktura e re arsimore 2+1+1 dhe 2+2,c’ka do të thotëqë pas përfundimit të nivelit të parë të shkollimit 2 vjecar,nxënësit zgjedhin një nga profilet e ngushta që ofron secili drejtim mësimorë.

 

Nga ky vit e në vazhdim shkolla ofron drejtimet mësimore :


  • Elektroteknikë
  • Elektronikë
  • Teknologji Informacioni dhe Komunikimi

të cilat janë shumë të rëndësishme  për zhvillimin ekonomik të vendit dhe që ofrojnë shanse të shumta  për punësimin e të rinjve tanë.

 

Shkolla Teknike Elektrike “Gjergj Canco” si shkollë me status kombëtar frekuentohet nga  nxënës nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

 

Shkolla  ka nxjerrë  dhe vazhdon të nxjerrë një numër  të madh specialistesh të cilët punojnë  me sukses në fusha të ndryshme ,në të gjitha nivelet ,si brenda dhe jashtë vendit,si  në politikë, art, ekonomi e sport. Kështu mund të përmendim  Geldon Skënderi ,Edlira Ciu, Vilson Ziu, Edi Paloka, Blendi Klosi etj.

 

Që nga shtatori i vitit 2012 e në vazhdim shkolla është akomoduar në ambjente të reja  të rikonstruktuara  të ish shkollës  së futbollit “Lorio Broçi”.